Baloteli: Ja pse s’kam fituar ‘Topin e Artë’ asnjëherë


Baloteli: Ja pse s’kam fituar ‘Topin e Artë’ asnjëherë 


Mario Baloteli është rrëfyer si rrallëherë më parë, duke treguar problemet e jetës së tij brenda e jashtë fushe. Në emisionin “Le Iene”, ai ka pranuar se preferon më shumë Murinjon para Mançinit në aspektin teknik, ndërsa i quan Mesin, Ronaldon dhe Ibrën një shkallë më lart se ai. “Nëse ende nuk e kam fituar “Topin e Artë”, është për fajin tim, – deklaroi Baloteli. – Në sport kanë shumë rëndësi sakrificat që bën. Që i vogël kam mbetur pa bërë gjërat normale që bënin djemtë e moshës time. Dua të bëhem lojtari më i fortë në botë dhe të shënoj shumë gola”, shtoi ai. Baloteli ka hedhur poshtë zërat se ai është zënë me Roberto Mançinin, pavarësisht fotove të sherrit në stërvitje. “Kisha bërë një faull dhe isha inatosur, por asgjë më shumë. Jemi zënë shpesh me të, por kemi kaluar dhe momente të bukura. Miqtë e mi të ngushtë? Shnajder dhe Materaci. Me Markon kemi qenë shumë miq edhe pse është shkruar se më ka goditur me grusht. Pikë së pari nuk ia arrinte dot kësaj”, tha Baloteli.