Samsung prezanton Galaxy S 4. Ja të gjitha funksionet dhe karakteristikat e reja!


Samsung prezanton Galaxy S 4. Ja të gjitha funksionet dhe karakteristikat e reja!


Kompania Samsung ka prezantuar Galaxy S 4, një version i përmirësuar i S III me një dizajn më të rafinuar. Ekrani është 5 polësh Super AMOLED 1920×1080, me një rezolucion prej 441 ppi dhe teknologji Gorilla Glass 3. Në varësi të tregut, smartfoni ka ose procesor 1.9GHz quad-core ose një procesor 1.6 octa-core.

Software - Hardware
Do të ketë Android 4.2.2 Jelly Bean, versioni më i fundit i sistemit operativ. Ka 2 GB RAM dhe vjen në disa modele përsa i përket hapësirës së kujtesës: 16, 32 ose 64 GB dhe njëkohësisht ka vend për kartë memorie microSD. Sigurisht janë të përfshira të gjitha lidhjet wireless më të nevojshme, përfshi Bluetooth 4.0 LE, NFC, Wi-Fi dhe GPS. Ashtu si Galaxy Note 8.1, edhe Galaxy S 4 është i pajisur me një portë IR dhe mund të përdoret si telekomandë.


Fotokamera
Kamera e pasme është 13 megapixel, ndërsa ajo e përparme 2 megapixel. Ajo që vjen si risi me këtë model është opsioni “Dual Camera“, që do të thotë se të dyja kamerat mund të përdoren njëkohësisht për të regjistruar video ose për të kapur foto. Përdoruesit janë ata që zgjedhin mënyrën se si do të shfaqet kamera e pasme në ekran – ose të mbivendoset sipër regjistrimit të kamerës së përparme, ose të vendoset në anë të saj.


Të rejat
Një risi në këtë model të ri është edhe “Air View“, i cili u mundëson përdoruesve të vendosin gishtin sipër aplikacioneve të veçanta - si Flipboard - dhe të shohin një “preview” të përmbajtjes pa e hapur atë. Air Gestures janë gjeste të tipit Kinect, të cilat i lejojnë përdoruesit të navigojnë telefonin, madje edhe të bëjnë telefonata, pa pasur nevojë të prekin ekranin.

Një karakteristikë tjetër e re është dhe Smart Pause dhe Smart Scroll, të cilat i ndihmojnë përdoruesit të kontrollojnë përmbajtjen. Me Smart Pause, videot ndalojnë nëse për shembull keni kthyer kokën larg ekranit dhe rifillojnë nëse keni kthyer sërish kokën për ta parë. Faktikisht nuk përdoret gjurmimi i syve, siç ishte spekuluar se do të ndodhte, por bazohet në njohjen e fytyrës.



Galaxy S 4 do të jetë i disponueshëm në 155 shtete dhe 327 kompani telefonike duke filluar nga fundi i muajit prill. Kompanitë telefonike që do të kenë ekskluzivitetin e shitjes në Evropë do të jenë Deutsche Telecom, EE, H3G, Orange, Telenor, Telia Sonera, Telefonica, dhe Vodafone.