Shqipëria strehon 210 muxhahedinë


Shqipëria strehon 210 muxhahedinë

Shqipëria po merr masa për të ofruar strehim për 210 persona muxhahedinë. Në këtë mënyrë, qeveria shqiptare i përgjigjet pozitivisht kërkesës së SHBA për strehimin e anëtarëve të grupit (Mojahedin-e-Khalq) MEK, të cilët ndodhen në Kampin e “Liria” në Irak.

Pohimi vjen nga kryeministri Sali Berisha pas takimit me Zëvendës Ndihmës Sekretaren në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Zyrën e Çështjeve të Lindjes së Afërt, Barbara Leaf së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Irakun, Ambasadorin Martin Kobler.
Balkanweb raporton se UNHCR u ka dhënë disa rezidentëve të Kampit “Liria” statusin e refugjatit dhe po bashkëpunon me qeverinë shqiptare për tu gjetur atyre zgjidhje të sigurt, të garantuar e humane.
Kryeministri Berisha i theksoi Zëvendës Ndihmëssekretares së Shtetit Leaf se sikundër iu premtua Sekretares së Shtetit Clinton, gjatë vizitës së saj në Tiranë, qeveria shqiptare është e gatshme dhe po merr masa për tu ofruar strehim për arsye humanitare për një numër të kufizuar prej 210 personash, të cilët janë të mirëpritur dhe do t’u krijohen të gjitha kushtet për një strehim të sigurt në Shqipëri, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e vendit.